Fillimi | Intervista | Kim Mehmeti: Zhytja është për të guximshmit

Kim Mehmeti: Zhytja është për të guximshmit

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Shkrimtari Kim Mehmeti sjell përvojën e hershme dhe të vonë të leximeve si individ që i takon gjeneratës që s'kishte mundësi të shkollohej në gjuhën shqipe. Përgjigjet se në çfarë kampesh është ndarë lexuesi i sotëm dhe pse informimi dhe gënjeshtrat rreth nesh dominojnë përditshmërinë

 Elsa Demo

Dita Ndërkombëtare e Librit / Libri dhe të shkruarit

Shkrimtari Kim Mehmeti sjell përvojën e hershme dhe të vonë të leximeve si individ që i takon gjeneratës që s'kishte mundësi të shkollohej në gjuhën shqipe. Përgjigjet se në çfarë kampesh është ndarë lexuesi i sotëm dhe pse informimi dhe gënjeshtrat rreth nesh dominojnë përditshmërinë

Se çdo të thotë të futesh në "lagjet e letërsisë pa kompas" dhe të dalësh prej andej një kopshtar i mirë, Kim Mehmeti na tregon në këtë intervistë. Pretendimi për të gjetur receta dhe hartë të letërsisë që duhet ndjekur sipas tij, do të ishte thjesht pretendim, pasi shkrimtari biling, shqiptar i Maqedonisë, një nga lëvruesit e talentuar të prozës, të tregimit në veçanti, nuk ka ndjekur ndonjë rregull të caktuar si fjala bie nis e lexo Odisenë e Homerit dhe dil tek Uliksi i Xhojsit. Ekziston megjithatë një ndarje e qartë e atyre që leximin e kanë si një barkë që i çon atje ku do lundërtari dhe të tjerë që zhyten në thellësitë e jetës. Këta të fundit Kim Mehmeti i njeh si njerëzit-lexues që do duronin për një kohë të gjatë pa frymë edhe "kundërmimet e pakëndshme të jetës."

Çfarë jeni duke lexuar?

Sa herë që më pyesin se çfarë jam duke shkruar e çka jam duke lexuar, ndihem thuajse duhet të flas për dy sunduesit e jetës sime, sundimi i të cilëve më pëlqen, se askush i tretë nuk mund të ndërhyjë. Dhe kam ndjenjën se nëpërmjet kësaj pyetjeje kumtohet bindja se krijuesi gjithmonë diçka shkruan dhe lexon. Unë nuk u takoj atyre që s'lëshojnë ditë pa shkruar diçka, as atyre që e mbajnë për javë të humbur atë kur nuk kanë lexuar asnjë libër. Prej moti e kam kuptuar se nuk janë lexues ata që lexojnë shumë, por ata që dinë ç'ka lexojnë. Kur nuk lexoj, udhëtoj, që është gjithashtu një "lexim" tjetër i hapësirave dhe i njerëzve të ndryshëm. Dua të lexoj vetëm librat që të ofrojnë të përjetosh Festën e Leximit, e cila thuajse është e barabartë me atë të krijimit. Dhe ngutshëm t'i vlerësosh cilat janë ato. Kjo mjeshtëri arrihet pasi të kesh lexuar aq shumë libra sa ta kesh përvetësuar "leximin diagonal", i cili ta mundëson që pas disa faqeve të kuptosh se ia vlen apo jo të shkosh më tej. Ma shtroni këtë pyetje kur jam në fazën e leximit më intensiv dhe jam duke lexuar veprat e Hanif Kurejshit, një prozator shumë i mirë. Përfundova romanin e tij "Buda i paralagjes" tani jam duke lexuar "Albumin e zi". Ka shumë libra të mirë për t'i lexuar, e jeta është e shkurtër që të mund njeriu t'i lexojë të gjitha.

Cili është libri i parë që keni lexuar në jetë? Çfarë ju ka mbetur në mend?

Libri i parë që kam lexuar ishte në gjuhën maqedonase. Pasi kisha mbaruar klasën e dytë me sukses të shkëlqyeshëm, mora si dhuratë librin "Lulet pranë binarëve" ("Bullki kraj shinite"). Pra, në moshën kur nuk e dija mirë as gjuhën letrare amtare, si nxënës i një shkolle ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, dhurata më erdhi në gjuhën që e njihja vetëm aq sa mundej një fëmijë të cilin e kishin mësuar të kishte kujdes të mos bëhej "kaur". Por, mbase isha i detyruar të mos e lë librin e dhuruar pa e shfletuar, sepse aso kohe, disa muaj mbeta i shtrirë në shtrat, dhe duke mos pasur asnjë libër tjetër, dhembjeve të këmbës iu shtova edhe orvatjet të zbërtheja shkronjat cirilike. I ndihmuar nga ilustrimet, nga ato pak fjalë që kuptoja nga ajo gjuhë, bëra një "lexim" mbase nga pak edhe të çuditshëm: pjesëve të paqarta të librit duhej t'iu shtoja përmbajtjet që i trillonte imagjinata ime, tu jepja ndonjë kuptim logjik me atë pak që kuptoja.

Kështu që nga ai libër më mbeti në kujtesë një përmbajtje që nuk kishte shumë lidhje me atë që lexova më vonë kur mësova shkrim e lexim në gjuhën maqedonase. Nga ai libër më mbetën në kujtesë shkronjat e çuditshme cirilike, ajo "tata" e gjuhës maqedonase, e cila gjuhë më vonë m'u bë e barabartë në shkrim me atë amtaren. Libri i parë të cilin mbase nuk arrita ta lexoja si duhet, më ndihmoi qysh në fëmini të kuptoj se për shumicën e neve shqiptarëve të ish- Jugosllavisë, "gjuha e nënës së tyre" do bëhej pjesë e jetës sonë, se ajo gjuhë do jetonte në mua paralelisht me gjuhën e qumështit të nënës. Dhe ndoshta që atëherë më mbeti ajo shprehi që më me ëndje të lexoj librat që "vështirë" kuptohen, ato ku imagjinatës së autorit duhet t'i shtosh edhe tënden. E mbase edhe të shkruaj ashtu që lexuesin ta kem bashkautor të veprës sime letrare.

Si ka vazhduar jeta me leximet? Ju ka ndihmuar kush për të ndërtuar bibliotekën e parë?

I takoj gjeneratës e cila nuk kishte mundësi të shkollohej në gjuhën shqipe, jam formuar si njeri në vitet kur bibliotekën time duhej ta mbushja me libra në gjuhët sllave, kur rrallë arrinin librat e botuar në Tiranë apo Prishtinë. Andaj në bibliotekën time ka një raft që e quaj "themel" i bibliotekës, e ku janë librat e parë në gjuhën shqipe që m'i sillte arsimtari i gjuhës amtare, mbase pse vërejti atë dëshirë të flaktë timen që të lexoja. Aty, në atë raft, zënë vendin e nderit disa libra që vlejnë më shumë se e tërë biblioteka dhe përpos përmbajtjes, brenda kopertinave bartin edhe rrëfimin se si i kisha sjellë në shtëpi të fshehura nën sqetull, sepse ishin botime të Tiranës. Aty është edhe libri i Izedin Jashar Kutrulisë dhe Mitrush Kutelit "Sulm e lot" i botuar në vitin 1944 në Tiranë, i shtypur në shtypshkronjën "Nikaj". Në faqet e këtyre librave nuk janë vetëm vargjet e autorëve, por edhe rrëfimi për kompletimin e bibliotekës sime, të cilën tani ngutshëm e ripërtërij me përkthimet e Tiranës e Prishtinës, që të bëhet e përdorshme edhe për fëmijët e mi.

Në bibliotekën time kompletohen edhe raftet me titujt në gjuhën angleze që i lexon djali im më i madh Semi. Ai është rafti që ndan peshën e kohëve të së shkuarës nga paqartësitë e ditëve që jetojmë. Diku në ato rafte përplot me libra, fshihet dëshira ime që të kem bibliotekë sa më të pasur, dhe t'i kem pranë vetes librat që dua t'i lexoj. Ato libra rrëfejnë edhe shëtitjet e mia nëpër vlerat letrare deri sa arrita të përcaktoj shijen time të lexuesit, deri sa arrita të bëj radhitjen e drejtë të titujve që duhet medoemos lexuar si dhe autorët e veprat që i kam lexuar më shumë se një herë, siç janë Prusti, Niçeja, Shopenhaueri etj.. Pra, këto rafte portretojnë lexuesin i cili lagjeve të letërsisë ka ecur pa kompas, por tani jeton me bindjen se nuk është i humbur, se nga ai pyll ka dalë me përvojën e kopshtarit të mirë.

Ju keni kundëragumente për ata që thonë se sot ka më shumë rëndësi informimi se sa formimi përmes orësh të rënda të leximit si "një herë e një kohë"? Në fund të fundit pse duhet të lexojmë?

Varet se çfarë domethënie i jepet informimit. Nëse informim i mjaftueshëm është të dish çka i ka thënë Berisha Ramës, atëherë në rregull, pajtohem se nuk duhen lexuar libra, por mjaftojnë interneti dhe mediat. Nëse informim është të kuptosh se jeta është diçka më shumë nga ajo që e shohim dhe përjetojmë, se të kuptosh e të shijosh drejt kalendarin tënd jetësor duhet të jesh i informuar edhe për atë si ka qenë "njëherë dhe një kohë", atëherë nuk është i mundur formimi i plotë individual pa këto informata. Këtë jetë njeriu mund ta jetojë edhe si shëtitës i ulur në një barkë nga u mahnitet bukurive që ofron horizonti dhe syprina e jetës. Por ka edhe zhytës që duan thellësitë, që e dinë se ka bukuri edhe nën sipërfaqen e "detit" – jetës.

Është e pamundur të gjithë të kenë prirje dhe nevojë për zhytje në thellësi, është e kuptueshme më i madh të jetë numri i atyre që duan të jenë të informuar, por jo edhe të formuar, sepse i "informuari" jeton më lehtë se i "formuari". I "informuari" kërkon përgjigje të gatshme, ndërsa i "formuari" i shtron vetvetes pyetje të lodhshme. Të "informuarit" ulen në "barkën" e jetës dhe shkojnë deri aty ku i çon lundërtari, ndërsa ata që duan informim të plotë, zhyten në thellësitë e jetës ku bëjnë pjesë edhe bibliotekat përplot me libra. E dihet: zhytja është për më të guximshmit, për ata që kanë mushkri më të forta që të mundësojnë të durosh gjatë pa frymë si dhe kundërmimet e pakëndshme të jetës.

Çfarë është të shkruarit? A keni një përkufizim për këtë?

Besoj se ka aq definime për atë se çka është krijimtaria letrare sa edhe krijues. Mbase shkrimi është iluzion për atë se, përpos shijues i botës në të cilën jeton, njeriu mund të bëhet edhe ndërtues i një bote paralele ku ai është sundues i plotfuqishëm. Shkrimi mund të jetë edhe nevojë që botën të mos e lexosh të atillë siç është, por siç e përshkruajmë ne. Me çka, iluzioneve të shumta që shoqërojnë jetën e njeriut, i shtohet edhe ai se çdo gjë është më ndryshe dhe se ne jemi vetëm fyelli nëpër të cilin dëgjohet shumëzëshmëria e Zotit. Mbase krijuesit janë vetëm fyejt që fishkëllejnë më zëshëm se të tjerët.

A do ishit dakord me atë që Jean Geneti thotë se ka nisur të shkruajë që në lindje. Pra, një shkrimtar shkruan për përvojën e tij, përvojë që nis qysh atëherë.

Ndoshta ai ka nisur të shkruajë ende duke qenë një nga vezoret e nënës së tij, apo vetëm një spermatozoid në herdhet e babait, por sa më takon mua, kam filluar të shkruaj atëherë kur m'u ngjall besimi se shkrimi është pjesë e jetës sime, diçka pa të cilën do mbetesha jo i plotë. Kuptohet, edhe afinitetet, dhuntitë e prirjet njerëzore, janë të ndërlidhura me atë fetusin e ngjizur në barkun e nënës, kanë të bëjnë me mbëmendjen qysh nga mosha jonë foshnjore, por arti nënkupton pjekuri, njohuri, mjeshtëri, përvojë e shumëçka tjetër që vjen në stinën e duhur të jetës.

Gjithsesi, nuk mund të piqet ajo që nuk ka qenë dikur aguridhe, por asnjë fryti nuk i është dhënë mundësia të kujtojë bukurinë dhe erëmimin e lules nga e cila është ngjizur. Jetën e fillon fëmija i cili ndjen ndryshe dhe botën e sheh krejt nga një kënd tjetër. Ajo është një përvojë të cilën e mbajnë mend qelizat e qenies sonë e jo truri, në kujtesë ajo përvojë është shënuar me alfabet dhe fjalorë krejt ndryshe nga ai të cilin e përsosim që nga mosha kur bëhemi të vetëdijshëm cili jemi dhe çka na rrethon. Kujtimi për qumështin e nënës është ndjellës, është lëngu që ndërton krijuesin, por jo edhe përvojë që bënë pjesë në brumin krijues.

Gjëja e parë që keni shkruar cila është?

Një vjershë për mësuesin që e përmenda në përgjigjen e parë, i cili më sillte çdo javë nga një libër, meqenëse ato të bibliotekës shkollore i kisha lexuar të gjitha. Dhe i cili habitej se si qysh në moshën 11-vjeçare aq shpejt arrita të lexoj "1001 net".

Shkruani çdo dite? Si ndiheni kur nuk shkruani? Bëheni nervoz?

Jo vetëm që nuk shkruaj çdo ditë, po ka periudha kur nuk shkruaj me muaj. Ka kohë ku më bëhet se krijuesi në mua më ka braktisë, mbase shkaku se e ndien se duhet të më lërë rehat të shijoj edhe lëngjet e tjera që sjell kjo jetë. Jo që nuk më bën nervoz arratisja e tij nga qenia ime, por edhe ndihem mirë pa të. E njoh mirë, e di se i ka dhënë vetes pushim dhe prapë do kthehet. Ka periudha kohore kur as unë nuk e njoh se cili është ai në mua që shkruan, siç ka kohë kur krijuesi në mua më bën të harroj bile edhe realitetin në të cilin jetoj.

Funksionon tek ju edhe vlera që sa më shumë shkruani aq më mirë ndiheni?

Shumësia e shkrimit nuk ndikon që të ndihem mirë, por vetëm ndjenja se kam shkruajtur atë që kam dashur.

A janë zemërimi, shqetësimi dhe frika emocionet që jua nxjerrin jashtë të shkruarit, emocione joanemike siç mund t'i cilësonte ndonjë shkrimtar?

Nuk iu takoj shkrimtarëve që i frymëzon shqetësimi, pikëllimi, frika… Mund të shkruaj vetëm kur jam i qetë, kur ndjehem i plotë, kur mund ta shijoj dhe ta ndiej jetën me të gjitha që sjell ajo me vete. Frika, pikëllimi, dhembja…më bëjnë mosbesues ndaj jetës si dhe ndaj krijimtarisë. Në çastet e tilla unë nuk merrem me shkrime, por e qetësoj vetveten, e nxjerr nga ato vorbulla që ia marrin të gjitha e nuk i sjellin asgjë të vlefshme si brumë krijues.

Po dashuria hyn tek emocionet joanemike për të shkruar?

Dashuria është krejt diçka tjetër. Ajo përmban në vete alfabetin e kuptimit të jetës, fjalorin që e bën më të kuptueshëm çastin që jetojmë, ajo është impuls, e jo rezultat i ndonjë koncepti. Impulset janë ato që ushqejnë iluzionin se kjo jetë është e bukur, ato ngrenë lartë flamurin e qenies sonë edhe shkaku se dikush na do aq sa jemi bërë shenjë në mburojën e jetës së tij.

Përse nuk po shkruani më në shtypin e përditshëm shqiptar?

Jam duke jetuar periudhën kur më duket se ka humbur vlerë fjala e thënë publikisht, kur muhabetet e rrugës janë barazuar me ato që botojnë mediat, kur më bëhet se na ka mbuluar mjegulla e debateve të kota, se mjafton të jesh i pamatur në vlerësime që të bëhesh kolumnist apo publicist i njohur… Thjesht, jo që nuk shkruaj, por kur e ndien se asgjë nuk ndryshon përpos gotës me ujë nëpër foltoret, se çdo gjë ka marrë formën e gënjeshtrës që qarkullon rreth nesh, ia shtron vetvetes pyetjen: Pse? Dhe gjithnjë e më vështirë e bind veten se ia vlen ta shpalosësh publikisht mendimin tënd rreth ndonjë ngjarjeje apo fenomeni shoqëror.

Çfarë keni tani në dorë?

Momentalisht shkrimtari në mua është në pushim dhe ende nuk më është lajmëruar se sa do t'i zgjasë pushimi. Tu them të drejtën as që jam i interesuar të më kthehet gjithaq shpejt.

Në ditën ndërkombëtare të librit çfarë mesazhi do t'i jepnit lexuesit?

Atyre që lexojnë, mesazhi u ka ardhur nga brendia e qenies dhe është e pakuptimtë t'ua përcjellësh atë që e dinë. Njësoj siç është e pakuptimtë t'u përcjellësh ndonjë mesazh atyre që nuk lexojnë, që nuk e dinë për çka bëhet fjalë.

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.50
Tjera nga Intervista
Previous
image
Marrëdhëniet ndëretnike - problem madhor
Problemi më madhor i Maqedonisë janë marrëdhëniet ndëretnike… Maqedonia ndërtohet sipas formulave të ish-Jugosllavisë, ku kemi marrëdhënie të mira mes elitave politike multi-etnike, mirëpo poshtë ...
image
Kim Mehmeti: Fëmijëria ime si “katundar” përballë zorraxhinjve të Shkupit
Njeriu vetëm si i mitur e sheh botën dhe e përjeton atë të atillë siç është. Më vonë, çdo gjë nga pakë është manipulim, përshtatje, çdo gjë është nga pakë orvatje të jesh i pranuar nga të tjerët, të jesh i tillë siç duan të të shohin ata që të duan, e jo ai që je. Duke qenë fëmijëria forma më burimore e përjetimit të jetës, duke qenë fëmijëria përjetimi më njerëzorë i kësaj bote, ajo mbetet edhe pjesa më e freskët, më e vlefshme e jetës sonë, e të cilën gjithmonë e kujtojmë me mall dhe duam t’i rikthehemi, gjë që është e pamundur.... Kim Mehmeti, ka këtë koncept për fëmijërinë në përgjithësi...Por ditët e fëmijërisë së tij janë mjaft të veçanta, përjetimet po ashtu. Edhe kjo intervistë e ciklit të gjatë me rrëfime shkrimtarësh nga fëmijëria e tyre...është një intervistë e rrallë, jo aq për faktet, sa për këndvështrimet interesante dhe stilin e rrallë të të rrëfyerit. Le ta ndjekim... ...
image
Po të mos isha shkrimtar, do të isha i pasur!
  Prej sot gazeta “Lajm” do të fillojë rubrikën e rregullt “Çka do të isha, po të mos isha...”. Personalitete të njohura të jetës politike, kulturore, ...
image
Kim Mehmeti: Si e mbaj mend Shqipërinë e vitit 1991 dhe pse m'u dhimbs më 1997
Intervistoi gazetarja Fatmira Nikolli Kimi na rrëfehet ngadalë. Ka një botë të tërë në vetvete e kujtime pa fund. Nis të kujtohet për fëmijërinë kur kënaqej ...
image
Pushteti sillet si vjedhësi që bërtet: kapeni hajdutin!
“Politikani që vlerë dhe forcë të vetmen ka emblemën partiake dhe atë të institucionit që drejton, i ngjanë derrit që majmet në baltën e ngrohtë politike, e ku ushqehet me krimbat e shtetit që kalbet. Qeveria e Gruevskit është e përbërë nga qeveritarë shqiptarë e maqedonas, shumica e të cilëve vështirë se kanë guxuar të ëndërrojnë ndonjëherë se do bëhen plak katundi, e jo më drejtues shteti”, thotë shkrimtari Kim Mehmeti në një intervistë ekskluzive për gazetën “Koha e Re”...
image
Viti 2011 për shqiptarët do të jetë më i keq se viti 2010
Edhe gjatë vitit 2010 Kim Mehmeti me kolumnat e tij të rregullta u veçua ndër kronikët më të mirë të aktualitetit shqiptar jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon. Prandaj mendojmë se kemi bërë zgjedhjen e qëlluar të personit i cili në fund të vitit 2010 mund të flasë për atë se çka mund të na presë vitin e ardhshëm....
image
Mirupafshim deri në provokimin e radhës...
Më ndihmon intuitae shkrimtarit dhe nuk dua të merrem me komentimin e asaj që ndodh. Dua të paralajmëroj atë që do të ndodhë". Me këto fjalë shprehet shkrimtari Kim Mehmeti për publicistikën e përmbledhur në librin e tij "Farë e bimës së keqe", promovuar dje në Tiranë e botuar nga "Toena". Në këtë intervistë, përveç një përshkrimi të veprës, autori i një sërë librash flet edhe për problemet që shqetësojnë shqiptarët në shtetin fqinj, por tregon edhe për karakterin "profetik" të shkrimeve të tij. Si një zë që del hapur kundër ofendimit të shqiptarëve, Mehmeti tregon pozicionin e vet edhe si shkrimtar që shkruan edhe në shqip, edhe në maqedonisht, shpreh lodhjen që ndjejnë qytetarët në pritje që maqedonasit të sqarojnë dilemat e tyre. Teksa komenton lëvizjet politike, sipas tij të gabuara të partisë shqiptare në Maqedoni, BDI, për sa i përket "Enciklopedisë filmike" të sapobotuar dhe cilësimit në të të Bekim Fehmiut si maqedonas, Mehmeti thotë se "një popull që vjedh, është i mjerë".....
image
Kim Mehmeti: Maqedonia po na shpall luftë hapur
Në enciklopedinë maqedonase thuhet se shqiptarët janë ardhacakë dhe si të tillë, ne duhet të çlirohemi nga ata. Ky botim fton në luftë. Duhet t'iu djegësh akademinë, duhet t'u thuash të mos luajnë me zjarr, se do të digjen. Ata po na provokojnë, dhe kjo do të thotë që na konsiderojnë si armiq, dhe ne duhet të sillemi si armiq. Në mos tjetër, iu duhet treguar vendi". ...
image
Kim Mehmeti: Nuk na ndodh asgjë e pamerituar
Kim Mehmeti është nga ata intelektualë shqiptarë që interesat kombëtare i artikulon me ndjeshmëri jo nacionale, por me shprehitë e familjes së tij, gjuhës dhe kulturës. Sa për Ballkanin, pse ai është sot temë ekzotike për intelektualët e tjerë dhe për atë vetë, si dhe një “Piter Pan i vështirë” për evropianët një ditë më parë në festivalin ndërkombëtar të poezisë, Mehmeti zbulon jo vetëm kompleksin e sotëm për këtë temë, por dhe prirjet për ta çmitizuar këtë debat. Ekskluzivisht për “standard”, Kim Mehmeti rrëfen pse duhet të kemi jetë të brendshme kombëtare, sidomos kulturore. ...
image
Krizën e lexueshmërisë e kanë shpikur shkrimtarët që nuk dinë të shkruajnë
Njëri nga prozatorët, nga më të talentuarit e letërsisë së sotme shqipe, Kim Mehmeti, laureat i çmimit të parë që e ka dhënë kompania mediale "Koha" për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008 ("Vitet e urithit"), në këtë intervistë për gazetën "Lajm" thotë se çmimet letrare nuk janë çdoherë tregues të saktë të një letërsie "më të mirë". Sipas tij, në letërsi ka aq shkrimtarë "të mirë" sa edhe shije, preferenca dhe standarde individuale, sipas të cilave vlerësohet një vepër. Mehmeti në këtë intervistë shprehet i bindur se letërsia shqipe sot ka lexues më me shije sesa në kohën e socializmit, ndërkaq krizën e lexueshmërisë e sheh si një shpikje të atyre shkrimtarëve që mendojnë se dinë të shkruajnë, e fajin ua hedhin lexuesve se nuk dinë të lexojnë. Intervistë: Kim Mehmeti, laureat i çmimit "Rexhai Surroi" për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008...
image
Çmimi, kurorëzim i një rrugëtimi disavjeçarë
Romani "Vitet e urithit" të shkrimtarit dhe publicistit nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka fituar çmimin vjetor për letërsi që ndahet nga Grupi "KOHA" në Prishtinë. Ky shpërblim jepet nga kompania Koha, e cila është e themeluar nga i biri i Rexhai Surroit, Veton Surroi dhe kap vlerën prej katër mijë euro, ku tri mijë shkojnë për laureatin në letërsi dhe një mijë për atë të gazetarisë, i cili kësaj radhe nuk u dha fare, megjithëse kishin konkurruar një numër jo edhe aq i vogël i gazetarëve. ...
image
Kështu s’udhëhiqet Kosova
Në një intervistë për “Focus”, analisti politik nga Maqedonia, Kim Mehmeti thotë se qëndrimi i qeveritarëve maqedonas ndaj pavarësisë së Kosovës ngjanë në një qëndrim proverb. Si e tillë, Mehmeti mendon se Maqedonia vështirë arrin të ruaj vetveten, e jo më të ndikojë në fatin e shteteve të tjera në Ballkan. Sa i përket politikës së jashtme të Kosovës, sugjeron që të shikohet se cili është ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, dhe çdo gjë do të jetë e qartë, ani pse Kosova ka kapacitet njerëzorë për diplomaci më efikase. Sipas Mehmetit nëse kalon kërkesa serbe, Kosova do ta paguaj çmimin e ngadalësimit të njohjes nga disa shtete që kanë “dilema” me pavarësimin. Prandaj, analisti Mehmeti sugjeron shqiptarët kudo që janë, se askush nuk ta jep atë që nuk din ta marrësh...
image
Mosnjohja nga Maqedonia - absurde
“Nëse ka shtet në Ballkan në interes të të cilit pavarësia e Kosovës është po aq e rëndësishme sa edhe vetë e atij shteti, ajo është Maqedonia”, thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti Kim Mehmeti. ...
image
Ndarja e Kosovës do ta zhbënte Maqedoninë
Në një intervistë për gazetën “Focus” shkrimtari dhe analisti politik Kim Mehmeti thotë, se kjo që ndodh me shqiptarët e Maqedonisë dëshmon se ata ende janë popull “joinstitucional”, se ky shtet me qëllim i bënë pronë të partisë në pushtet. Sipas tij mundësi e bashkimit është e pamundur tani për tani, sepse janë në luftë dy koncepte politike, të cilët janë të largët mes veti aq sa edhe komunizmi dhe demokracia. Shqiptarët e Maqedonisë, sipas Mehmetit do paguajnë çmim të lartë për të shpëtuar nga “rrugaçëria” partiake dhe se nuk do arrijnë ta bëjnë pa ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare ...
image
“Shqiptarët e Maqedonisë të dëshmojnë se nuk janë një numër i heshtur”
“Këto zgjedhje do jenë mundësia e fundit për Maqedoninë që ajo të dëshmojë se e ka kuptuar se çdokush që mendon se Maqedonia mund të ndërtohet mbi baza të “pronarit” të shtetit – etnitetit maqedonas, dhe “qiraxhiut” në të – shqiptarëve të këtushëm, në të vërtetë vetëm e ushqen krimbin i cili e brenë brendinë e këtij shteti dhe i kalb institucionet e tij”. Kështu është shprehur dje në në një intervistë për gazetën “Tema” publicisti i njohur nga Shkupi, Kim Mehmeti. Vetëm disa orë pas shpërndarjes së parlamentit të Maqedonisë, Mehmeti ka kërkuar që partitë shqiptare të tregojnë pjekurinë që të mos shkaktojnë përçarje dhe t’i kthejnë zgjedhjet në festë. “Këto zgjedhje të parakohshme, të cilat shqiptarëve ua mundësoi Ali Ahmeti me BDI-në e tij (si mundësi të korrigjohet padrejtësia që ua bëri shqiptarëve të këtushëm Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006) janë ndoshta mundësia e fundit që shqiptarët e Maqedonisë të dëshmojnë se nuk janë një numër i heshtur me të cilin manipulojnë partitë e tyre politike, por qytetarë që dinë të përcaktojnë dhe zgjedhin fatin e vet politik”, shprehet Mehmeti. Ndërsa dështimin e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë, Mehmeti i konsideron se, po aq sa Maqedonia, edhe Athina zyrtare është e lidhur me prangat e së kaluarës së vet të errët gjatë së cilës dëboi dhe asimiloi shqiptarë e maqedonas etnik. “Andaj, Greqia nuk ka problem me emrin e Maqedonisë, por me të kaluarën dhe të sotmen e vetë asimiluese ndaj popujve tjerë”, shprehet Mehmeti. ...
Next