Fillimi | Analiza | DEGËT QË KËRKOJNË TRUNGUN

DEGËT QË KËRKOJNË TRUNGUN

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Mbase shqiptarët dhe maqedonasit etnik nuk kanë mosmarrëveshje vetëm me atë se si ta rregullojnë të sotmen e Maqedonisë, dhe kujt çka i takon nga ajo që ndodhet mbi tokë, por assesi të pajtohen edhe lidhur me mbeturinat nga e kaluara që fshihen në barkun e dheut. Këtë e dëshmojnë edhe gërmimet arkeologjike të porsafilluara në Kalanë e Shkupit, e të cilat i konfrontuan arkeologët maqedonas dhe historianët shqiptarë të përkrahur nga disa organizata joqeveritare.

 Shkruan: Kim Mehmeti

          

            Mbase shqiptarët dhe maqedonasit etnik nuk kanë mosmarrëveshje vetëm me atë se si ta rregullojnë të sotmen e Maqedonisë, dhe kujt çka i takon nga ajo që ndodhet mbi tokë, por assesi të pajtohen  edhe lidhur me mbeturinat  nga e kaluara që fshihen në barkun e dheut. Këtë e dëshmojnë edhe gërmimet arkeologjike të porsafilluara në Kalanë e Shkupit, e të cilat i konfrontuan arkeologët maqedonas dhe historianët shqiptarë të përkrahur nga disa organizata joqeveritare. Me çka edhe një herë u dëshmua se e sotmja e këtyre hapësirave nuk është oborrtare e denjë e së kaluarës, se edhe shumica e shkencëtarëve të këtushëm nuk e kanë kuptuar se e kaluara nuk është ngjyrë për ta zbukuruar të sotmen, e as gënjeshtër që josh kohët që do vijnë, por vetëm dhomë para derës së të cilës e ardhmja pret radhë që të bëhet e kaluar. Por, që ta kuptosh këtë, paraprakisht duhet ta kesh të ditur se të gjithë njerëzit gjatë jetës së vet gërryejnë diçka: disa në fushat e politikës së ditës, të tjerët gërryejnë varrat nga e kaluara, e të urtit  gërmojnë në kopshtin e ideve që do ndriçojnë të ardhmen, e cila edhe kur do bëhet e kaluar, nuk do ketë shenjë njohëse marrëzinë njerëzore. E në Maqedoni më të frytshëm janë ata që gërryejnë në thellësitë duke mos e parë se me këtë herë - herë ia nxjerrin jashtë rrënjët të sotmes multietnike e multikulturore të këtij shteti. Me çka Maqedoninë e bëjnë t’i ngjajë një kopshti ku kopshtarët e sotmes duan të ndryshojnë llojin e bimës që mbinë nga fara e së kaluarës, ku degët etnike që rriten sot në këtë shtet ende nuk kanë gjetur trungun e të kaluarës së vet.


            Për çka bëhet fjalë, dhe nga ai mosbesim i shkencëtarëve të këtushëm shqiptarë ndaj arkeologëve të etnitetit maqedonas? Mbase shpjegimi do duhej të fillonte qysh nga vitet e socializmit, kur ky shtet nuk kursente mjete për gërryesit e tokës që premtonin se nga thellësitë e saj do nxjerrin dëshmi që do vërtetojnë lashtësinë e etnisë maqedonase. Por, shkurtimisht thënë, gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit, janë pasojë e “etheve” disadekadësh që degët e përbërjes së sotme etnike të këtyre hapësirave të shpallen pjesë të këtij apo atij trungu të lashtë etnik. Në vazhdën e kësaj tendence, për gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit, qeveria e sotme e Maqedonisë ka nda rreth dy milion euro. Shumë e majme parash dhe mbase proporcionale me ambiciet e një popull të vogël që pretendon se ka histori të bujshme sa edhe vetë thellësia e të gjitha shtresave që kanë lënë pas vetes në këto hapësira civilizimet e lashta. Dhe kështu,  para disa ditësh filluan gërmimet të cilat mbase kanë për qëllim të nxjerrin fakte që do u ndihmonin historianëve dhe arkeologëve të etniteti maqedonas të braktisin lidhjen “vëllazërore” me sllavët e jugut, e të dëshmojnë “farefisninë” direkte me Aleksandërin e Madh. Këto gërmime arkeologjike i udhëheq drejtori i tanishëm i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimive Kulturore, arkeologu Pasko Kuzman për të cilin - mbase qëllimkëqijtë -  thonë se aty ku ai gërryen, medoemos ndodhet ajo që Paskoja kërkon. E nëse nuk është aty, shtojnë ata, atëherë Paskoja e gropos, që pastaj të gjejë atë që i mungon. Kështu,  ai arrin etnitetin maqedonas ta afrojë drejtë të kaluarës së dëshiruar, por mbase edhe ta largojë nga e vërteta. Dhe e zhyt etnitetin maqedonas thellë e më thellë në mosmarrëveshjet  me popujt fqinjë, veçanërisht me grekët e bullgarët, të cilët mohojnë të kaluarën dhe identitetin etnik të këtij populli. Gjithsesi, me këtë arkeologët maqedonas e rrisin edhe qëndrimin mospërfillës tek shqiptarët e këtushëm ndaj së kaluarës së etnisë maqedonase.


            Andaj, përderisa arkeologët e etnitetit maqedonas gërmojnë me shpresë se në thellësitë e Kalas së Shkupit do gjejnë gjurmët e Justinianës, e me çka do dëshmojnë lashtësinë ortodokse të këtyre trojeve, shqiptarët janë të bindur se aty ka vetëm artefakte nga koha e Dardanëve dhe se këto hapësira kanë qenë dhe do mbeten pjesë e kulturës shqiptare. Pra, shkencëtarët dhe organizatat e këtushme shqiptare, kërkojnë që në këto gërmime arkeologjike të marrin pjesë edhe arkeolog të njohur nga Tirana e Prishtina, duke shprehur hapur frikën se gërmuesit e tanishëm do i fshehin faktet e gjetura në këtë lokalitet arkeologjik. Mosbesimin e vet ndaj arkeologëve maqedonas ata e  mbështesin mbi një të vërtetë: në këtë shtet janë bërë shumë gërmime dhe zbulime arkeologjike, por kurrë në to nuk kanë marrë pjesë edhe shqiptarët. Këtu janë ndërtuar kisha kudo që është gjet ndonjë gurë i bardhë për të cilin është thënë që i përket civilizimit bizantin, por thuajse asnjëherë nuk ndodhi të zbardhet ndonjë objekt ilir apo të mbrohet ndonjë xhami e ndërtuar në shekujt e hershëm të Osmanlijve, si për shembull Burmali Xhamia, një nga më të bukurat në Ballkan, mbi themelet e të cilës tani në Shkup do ndërtohet Teatri Kombëtar Maqedonas. Pra, dekada me radhë në këto hapësira është gjurmuar lashtësia ortodokse dhe sllave, dhe në ndërkohë thuajse janë mbuluar gjurmët e civilizimeve tjera, e veçanërisht ato me shenjën ilire dhe orientale. Kështu që u bë shfytyrimi edhe i Urës së Gurit, Çarshisë së Vjetër në Shkup, mbase vetëm që arkitekturës dhe objekteve të mbetura nga koha e Perandorisë Osmane t’u vishen rrobat e ortodoksizmit. Në këtë drejtim u shkua aq larg, sa edhe Sahat – kullat turke u stolisën me kryqin ortodoks.


            Se në shtresat nëntokësore të Kalasë së Shkupit mund të priten edhe artefakte që do dëshmojnë të kaluarën Dardane të këtyre trojeve, nuk e mohojnë as arkeologët e etnitetit maqedonas. Por, pa dyshim se arsyeja që ata i çon të gërryejnë sa më thellë në këtë kala, nuk janë Dardanët, por shpresa se aty do gjejnë gjurmët e qyteti të lashtë, Justiniana Prima, i ndërtuar në shekullin e VI nga Justiniani i Parë. Arkeologët serb e maqedonas shpresojnë se ky qytet i lashtë ndodhet diku mes Leskovcit dhe rrethinës së Shkupit. Por shumica e tyre pohojnë se, sa u përket gjetjes së gjurmëve nga ky qytet i lashtë, janë të kota gërmimet arkeologjike në këtë kala. Kalaja e Shkupit, shtojnë ata,  është hapësirë shumë e vogël dhe vetëm naivët mund të shpresojnë se ajo do mjaftonte aty të jenë ndërtuar bazilikat e mëdha të Justiniana Prima.


            Disa nga ekspertët e këtushëm thonë se me këto gërmime në të vërtet thyhet edhe ligji si dhe nuk respektohen disa standarde që janë bazë e hulumtimeve arkeologjike. E këto pohime i mbështesin mbi të vërtetën se ende nuk janë publikuar rezultatet e gërmimeve të bëra në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Dhe thonë se pa u zbardhur gjurmët e lashtësisë që janë zbuluar atëherë, nuk mund të fillohet me hulumtime të reja. Por, kuptohet: reagimet e tyre mbeten të ngulfatur mbase edhe nga mëditjet e majme që do marrin ata që sot gërryejnë thellë e më thellë në Kalanë e Shkupit.


            Si do që të jetë, gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit vazhdojnë. Pesimistët thonë se arkeologët aty do gjejnë vetëm inatet e etnive të frustruara të Maqedonisë. Si dhe shpresën e kotë të disa historianëve dhe arkeologëve të etnisë maqedonase që duan ta shpallin veten nipër të Aleksandërit të Madh. Një arkeolog serb thotë se kolegët e tij maqedonas aty do mund të gjejnë vetëm vidhen e humbur të syzeve të tij para tridhet viteve, kur ai aty kishte kërkuar gjurmë nga lashtësia. E autori i këtij teksti mund të shtojë se Pasko Kuzmani aty mund të zbulojë edhe vendin ku  urinonim ne fëmijët e viteve të gjashtëdhjeta kur nga lartësia e Kalasë së Shkupit shikonim Urën  e Gurit, por të bukur siç e kishin lënë Osmanlinjtë, e jo këtë të sotmen që e “zbukuruan” arkitektët maqedonas. Nga shikonim edhe malin Vodno,  por pa kryqin e madh që e ka sot, e që qëndron mbi Shkup si mbi një varrezë ku prehet urtësia njerëzore.

Komente (1 dërguar):

Nasi Albani më 10 March, 2010 11:25:39
avatar
Kurre nuke mund ta harroj,nje fjale te urt te nje plaku,nga fshati im ku jetoje.Ai thoshte.ATY KU SHKRRYHEN BULLICAT ME SE KEQI E PSOJN BRETKOCAT.

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.00
Tjera nga Analiza
Previous
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
image
“Maunokratët” e partitizmit shqiptar
Kim MEHMETI Më shumë se katër dekada me radhë, Enveri shqiptarëve ua vrau Zotin duke dashur që vetveten ta shpallte Perëndi të vetmen të tyre. Në ...
image
“Lufta” e dështuar e kryeministrit
Kim Mehmeti Ai që nuk e sheh se në “Pero Nakov” nuk luftohen aktivitete joligjore, por bëhet luftë kundër medieve më të fuqishëm, asnjëherë nuk do ...
Next