Fillimi | Analiza | Çerekhëna dhe kryqi janë fole të shqiponjës

Çerekhëna dhe kryqi janë fole të shqiponjës

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Në fillim të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, balta e mosmarrëveshjeve mes etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar në Maqedoni ishte aq e thellë dhe aq ngjitëse, sa e la e kaluara e propagandës antishqiptare, e fabrikuar në punëtoritë serbe të Beogradit. E cila kryesisht mbështetej mbi mendësinë e "popujve shtetformues" - sllavëve të jugut - të cilëve u bie në hise të mbrojnë këto hapësira nga "rreziku shqiptar". Pra, bëhej fjalë për ndasi të dukshme në mbrojtës dhe armiq të natyrshëm të shtetit.

Shkruan: Kim MEHMETI

Në fillim të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, balta e mosmarrëveshjeve mes etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar në Maqedoni ishte aq e thellë dhe aq ngjitëse, sa e la e kaluara e propagandës antishqiptare, e fabrikuar në punëtoritë serbe të Beogradit. E cila kryesisht mbështetej mbi mendësinë e "popujve shtetformues" - sllavëve të jugut - të cilëve u bie në hise të mbrojnë këto hapësira nga "rreziku shqiptar". Pra, bëhej fjalë për ndasi të dukshme në mbrojtës dhe armiq të natyrshëm të shtetit.

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, në vitin 1998, filloi pyllëzimi i Maqedonisë me kryqe dhe kisha ortodokse, me çka, kësaj balte iu shtua edhe gara ndër-religjioze. Thuajse nuk i mjaftonin mosmarrëveshjet ndëretnike, ndaj dhe Maqedonia trilloi edhe luftën mes çerekhënës, e cila gjoja rrezikonte kryqin ortodoks. Kështu, Maqedonia donte të keqpërdorte gatishmërinë globale pas ngjarjeve të shtatorit në Nju Jork, dhe shqiptarët e këtushëm t‘i vendosë aty ku nuk e kanë vendin. E me këtë nuk arriti asgjë më shumë, përpos që baltën e mosmarrëveshjeve ndëretnike, e trashi dhe e thelloi aq sa është sot, kur qeveria e po të njëjtës përbërje vazhdon aty ku e la këtë pyllëzim ish-kryeministri Georgiveski.

Mbase qeveria e Gruevskit tani vetëm u përshtatet rrethanave të paskonfliktit të 2001 dhe përpos kryqeve gjigante e kishave, ofron edhe ndërtimin e xhamive. Që do të thotë, ka hapur "tenderë" publikë dhe tregti mes ortodoksëve e myslimanëve të këtushëm. Kështu që, për të ndërtuar një kishë ortodokse në qendër të Shkupit, e mbi themelet e shtëpisë ku ka lindur Nënë Tereza, shqiptarëve të këtushëm, kryesisht myslimanë, u ofron një xhami në qendër të Tetovës. Tregti shumë e rrezikshme, që aq naivisht e pranuan dhe e përkrahën edhe pushtetarët shqiptarë; tregti primitive që luan me ndjenjat religjioze të qytetarëve të këtushëm, e që ka prapavijë të qartë: Shkupit t‘ia shlyejë edhe ato pak shenja të shqiptarisë e të kulturës lindore që i kanë mbetur, dhe të harrohet se dikur Shkupi kishte pak maqedonas etnikë e shumë shqiptarë katolikë e myslimanë, turq, hebre dhe vlleh; tregti që vë në sprovë besimin më të shenjtë të shqiptarëve të këtushëm, besimin mbi të cilin është kalitur boshti i tyre etnik kurrizor, e që buron nga begatia tri-religjioze shqiptare, me të cilën begati mirëmbahet besimi më i shenjtë i tyre kombëtar - ai i shqiptarisë.

Kryeministri aktual i Maqedonisë, prej moti ka dëshmuar se nuk e njeh as parimin më elementar politik, e që ka të bëjë me urtësinë se i mençuri, së pari e mendon daljen, e pastaj hyrjen në hapësirën e populizmit primitiv. Pra, pas provokimeve të shumta që u bëri shqiptarëve të këtushëm, e që i sollën popullaritet tek etniteti maqedonas, Gruevski vazhdon edhe më tej dhe shqiptarët e këtushëm tani i prek aty ku janë më të ndjeshëm - tek ylberi shumëngjyrësh religjioz. Me vendimin që të ndërtojë kishë aty ku duhet të rindërtohet shtëpia e rrënuar e Nënë Terezës, Gruevski dëshiron t‘u thotë shqiptarëve të këtushëm se ata, si myslimanë që janë, nuk kanë pse të mbrojnë kujtimin për Nënë Terezën katolike. Posaçërisht, nëse ndërkohë u jepet një xhami në qendër të Tetovës. Tani, Maqedonisë ai ia cakton edhe kufijtë religjiozë, me çka më në fund e bëri veprimin më të dëmshëm për vetveten dhe bashkësunduesit e tij shqiptarë, veprim për nga përmasat përbuzëse, i barabartë me barbarizmin e treguar në Brodec të Malësisë së Tetovës, ku policët, përpos që vrisnin e dhunonin, edhe shanin nënën shqiptare. Veprim që shqiptarët e këtushëm i preku aty ku janë më të ndjeshëm: jo tek çerekhëna myslimane dhe kryqi i krishterë, por te besimi në shqiptarinë e tyre, te bindja e tyre se për shqiptarët do ketë Zot e religjion, vetëm aq sa ata do dinë të mbrojnë ylberin e bukur shumëreligjioz që kanë si popull.

Andaj edhe këtij provokimi të Gruevskit, shqiptarët e këtushëm duhet t‘i përgjigjen ashtu siç u ka hije atyre që kanë shijuar madhështinë të jesh pjesëtar i popullit që ngërthen në vetvete më shumë religjione, e që i ndërlidh mes veti besimi i shenjtë - ai i shqiptarisë. Pra, shqiptarët e Maqedonisë duhet t‘i përgjigjen Gruevskit ashtu që atij t‘ia bëjnë të mundur të shohë atë që nuk ia lejon verbëria e shpirtngushtësisë sllavo-ortodokse: se dy kokat e shqiponjës tonë janë të kthyera nga dy foletë e saj njësoj të ngrohta religjioze të shqiptarisë - atë myslimane dhe krishtere, fole në të cilën me shekuj është mëkuar një tolerancë e paparë ndër-religjioze mes shqiptarëve, tolerancë që ka qenë vlerë mbi të gjitha vlerat, model se si mund të bashkëjetojnë fe të ndryshme, e që i ndërlidh besimi etnik, shembull se si mund të ndërthuret edhe modeli shumëreligjioz i Evropës moderne, e cila ende vuan nga stereotipat dhe paragjykimet e trashëguar nga e kaluara, e që kanë të bëjnë kryesisht me mosdurimin ndaj çerekhënës myslimane.

Këtij provokimi të Gruevskit, shqiptarët e Maqedonisë duhet t‘i përgjigjen ashtu që ai ta kuptojë atë që duhet ta dijë cilido që ka pretendime të jetë sundues edhe i shqiptarëve të këtushëm: se shqiponja dykrenore shqiptare ka qëndruar e paluhatur gjatë shekujve, sepse njërën këmbë e ka pasur mbi minaret e larta të xhamive, e tjetrën mbi kambaneritë e kishave krishtere. Dhe kështu, ajo është shndërruar në tempullin më të lartë të shqiptarisë, tempull që i ka bërë fllad shqiptarisë dhe ku janë falur edhe shqiptarët që lutjet ia kanë drejtuar Allahut, edhe ata që kanë puthur kryqin. Pra, kjo shqiponjë dykrenore është bërë faltore në të cilën janë ndjerë dhe ndjehen madhërishëm shqiptarët e të gjitha religjioneve. Me çka mësuan besimin e tyre etnik dhe atë njerëzor, besim që sot i bën më lehtë t‘i dallojnë ata që kryqin dhe çerekhënën i përdorin për ta fshehur urrejtjen ndaj atyre që i takojnë religjionit tjetër, të kuptojnë se edhe armiqtë e sotëm të shqiptarëve, njësoj si edhe ata të mëparshmit, kanë dashur, e duan, të dobësojnë forcën më të madhe të shqiptarisë-tolerancën e tyre ndër-religjioze.

Sot, kur qeveria aktuale e Maqedonisë e shpall veten si kompani ndërtuese e kishave dhe xhamive, shqiptarët e këtushëm asaj duhet t‘ia bëjnë me dije se nuk presin diçka të tillë nga pushtetarët e një shteti laik. Se nga ajo presin t‘u ndërtojë shkolla e biblioteka, spitale e rrugë. Se presin që, më në fund, nga taksat që ata paguajnë, të ndërtohet godina e gjimnazit "Zef Lush Marku" në Shkup. Dhe të rinjtë shqiptarë të kryeqendrës të mos mbeten edhe më tej qiraxhinj nëpër shkollat e bashkëmoshatarëve etnikë maqedonas, të mos shëtisin nëpër lagje, ku nga dita në ditë, shtohet numri i grafitëve të tipit: "Shqiptari i mirë, është kufomë e mirë". Pra, shqiptarët e Maqedonisë sot duhet me këmbëngulje të mbrojnë shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës. Dhe me po të njëjtën këmbëngulje të kërkojnë leje për rindërtimin e Burmali Xhamisë në qendër të Shkupit. Si dhe të kishës katolike shqiptare, që dikur ka qëndruar në afërsi të shtëpisë ku lindi mburrja jonë kombëtare-Nënë Tereza. Pra, të kërkojnë nga kjo qeveri të mos merret me ndërtimin e kishave e xhamive, por t‘ua kthejë pronën bashkësive religjioze të këtushme, që duhet të merren me ndërtimin e objekteve fetare.

Shqiptarët e Maqedonisë, si asnjëherë më parë duhet hapur të tregojnë se religjionet e tyre nuk bëjnë pjesë në tregtinë politike ndërpartiake, që kanë filluar VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja. Njësoj siç nuk bëjnë pjesë në këtë tregti as gjuha dhe vlerat kolektive të shqiptarëve. Andaj, edhe ndoshta ka ardhur koha të shkojnë edhe një hap më tej në mbrojtjen e identitetit të vet: të bëhen mbrojtës edhe të kishave ortodokse shqiptare, të cilat i përvetësoi Kisha Ortodokse Maqedonase, edhe pse ndërtues të tyre ishin paraardhësit e myslimanëve të sotëm të devotshëm shqiptarë. Pra, këto kisha duhet t‘i kthehen pronarit të vërtetë. E pastaj, shqiptarët e këtushëm, si myslimanë merhametli që janë, edhe do mund t‘ua japin në përdorim maqedonasve etnikë të këtushëm ortodoksë. Bile, pa kërkuar të paguajnë dëmshpërblim për shfrytëzimin e tyre të deritanishëm e të mëtejmë. Sepse vetëm kështu, shqiptarët e këtushëm do dëshmojnë se e dinë se balta e mosdurimit ndëretnik e ndër-religjioz, në fillim është e cekët dhe jo aq kërcënuese. E pastaj ajo ngadalë thellohet dhe bëhet mbytëse për ata që nuk e kanë kuptuar se në këtë botë nuk janë në konflikt religjionet, por besimtarët që për Zot njohin vetëm të mirën e tyre.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)

Komente (1 dërguar):

tititi më 17 August, 2009 01:27:21
avatar
te ji ulli i nates se errret ti je dita

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.60
Tjera nga Analiza
Previous
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
image
“Maunokratët” e partitizmit shqiptar
Kim MEHMETI Më shumë se katër dekada me radhë, Enveri shqiptarëve ua vrau Zotin duke dashur që vetveten ta shpallte Perëndi të vetmen të tyre. Në ...
image
“Lufta” e dështuar e kryeministrit
Kim Mehmeti Ai që nuk e sheh se në “Pero Nakov” nuk luftohen aktivitete joligjore, por bëhet luftë kundër medieve më të fuqishëm, asnjëherë nuk do ...
Next