Fillimi | Analiza | Shqiptarët grinden, Gruevski sundon

Shqiptarët grinden, Gruevski sundon

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Nga gjithë llojet e politikanëve, më të bezdisshëm dhe më të pavlerë janë ata që mendojnë se janë të domosdoshëm për popullin e tyre. E politikanët e tillë dominojnë në shoqëritë ku rrugët drejt së ardhmes janë aq të ngatërruara, sa ngado që të shkosh, të duket se ecën përpara dhe nuk e vëren se rrotullohesh në vend, se kthehesh aty nga je nisur.

Shkruan: Kim Mehmeti

Nga gjithë llojet e politikanëve, më të bezdisshëm dhe më të pavlerë janë ata që mendojnë se janë të domosdoshëm për popullin e tyre. E politikanët e tillë dominojnë në shoqëritë ku rrugët drejt së ardhmes janë aq të ngatërruara, sa ngado që të shkosh, të duket se ecën përpara dhe nuk e vëren se rrotullohesh në vend, se kthehesh aty nga je nisur. Pra, politikanë të tillë shumohen në shoqëritë ku popujt nuk presin thuajse asgjë nga e nesërmja dhe i nënshtrohen bindjes se as politikanët injorantë, e as ata të mençurit, nuk mund ta ndalin rrjedhën e ngjarjeve, të cilat medoemos do ndodhin. Politikanë të tillë shumohen në shoqëri ku popujt janë bërë të pandjeshëm nga pritja, ku e ke më lehtë të gjesh kandidat për deputetë, ministra apo kryetar shteti, sesa një bari që është i aftë të kujdeset për kopenë e vet.

Maqedonia ngadalë shndërrohet në shoqëri të qytetarëve të lodhur nga pritja, që shteti i tyre përfundimisht të gjejë rrugën e drejtë që do u sigurojë ardhmëri të sigurt dhe dalje nga mosmarrëveshjet ndëretnike. E tillë, Maqedonia është edhe sot, kur ndodhet përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do mbahen në qershor dhe kur partitë politike i kompletojnë listat e kandidatëve të tyre për deputetë republikanë. Pra, e tillë është edhe shoqëria shqiptare në këtë shtet multietnik, shoqëri që mbase tani e ka më të qartë se është pjesë e një shteti, i cili e harxhoi mundësinë të ndërtojë institucione sipas standardeve të mirëfillta multietnike e qytetare, dhe ndoshta tani i ka mbetur të provojë mundësinë e fundit për ta shpëtuar veten: të saktësojë kufijtë e dy njësive etnike që do e përbëjnë Federatën e Maqedonisë së Re. Me çka mbase përfundimisht do i zgjidhë mosmarrëveshjet shqiptaro-maqedonase, si edhe problemin që ka me grekët lidhur me emërtimin e shtetit.

Parë nga ky këndvështrim, zgjedhjet e sivjetme të parakohshme të qershorit, mund të shpallen edhe si të fundit të këtij lloji, nëse elitat e këtushme politike nuk do arrijnë përfundimisht të përballen me të vërtetën, se shteti që drejtojnë, i ngjan ndërtesës me shumë propozim-projekte, por e ndërtuar sipas afiniteteve dhe dëshirës së mjeshtërve sezonalë, që ndërrohen çdo katër vite. Dhe si e tillë, ajo nuk qëndron mbi themele të sigurta, por mbi frikën e banorëve të saj se, nëse do e fillonin rinovimin e ta rindërtonin ashtu siç duan, do e pësonin nën rrënojat e saj dhe do lëkundnin tërë godinën e quajtur Ballkan.

Duke u përballur me të vërtetën se jetojnë në shtet që nuk e ka vetëm emrin e përkohshëm, shqiptarët e këtushëm gjithnjë e më shumë veprojnë sipas bindjes, se ngado që të kthehen, prapanica u mbetet pas shpine. Kështu që bëhen gjithnjë e më të pandjeshëm ndaj zgjedhjeve, nuk u intereson gjithaq as përbërja e listave për deputet të ardhshëm, me çka edhe nuk vërejnë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit, për ta, kanë edhe dimensionin e një "referendumi". Pra, nuk vërejnë sa është e rëndësishme që në këto zgjedhje të dalin masovikisht dhe t‘u japin përgjigje pyetjeve: Vallë duan të përkrahin konceptin politik që ata vetë të vendosin për përfaqësuesit e tyre nëpër institucionet më të larta shtetërore, apo atë që mandatari (partia që do i fitojë zgjedhjet në bllokun etnik maqedonas) sipas dëshirës së saj, në qeveri t‘i përfshijë shqiptarët që i përshtaten? Pra, vallë do përkrahin platformën e pashpallur, por të praktikuar të PDSH-së, që për hyrjen e shqiptarëve në koalicionet qeveritare të vendosë mandatari, apo atë të BDI-së, të përkrahur edhe nga BDSH-ja, që votuesit shqiptarë të jenë ata që do i tregojnë mandatarit se cilën parti e mbështesin dhe duan ta shohin si pjesë të institucioneve më të larta shtetërore?

Andaj këto zgjedhje nuk do përcaktojnë vetëm parlamentarët e ardhshëm shqiptarë, por përfundimisht do e mbyllin, apo edhe më tej, do e lënë të hapur, derën nga hyjnë e dalin politikanët shqiptarë që të ardhmen e tyre e kanë mbështetur në aleancat e fshehta me partitë e etnitetit maqedonas, a jo në ato me popullin që i voton. Të cilët, duke e ditur se nuk kanë mbështetjen e popullit, bëjnë çmos atë ta frikësojnë të mos dalë në zgjedhje, bëjnë çmos që shqiptarët sa më shumë të acarohen mes vetit, me çka atyre do u mbetet hapësirë më e madhe për manipulim dhe vjedhje votash. Me çka pra, do arrijnë të realizojnë atë që ia kanë premtuar "punëdhënësit" të tyre: Shqiptarët të grinden mes vetit e Gruevski të sundojë.

Kuptohet, nuk është as jolegjitime as jodemokratike që partitë shqiptare të bëjnë koalicione parazgjedhore edhe me partitë e etnitetit maqedonas. Nuk është për ta paragjykuar shtrembër cilëndo parti shqiptare, kandidatët e të cilës do jenë të mbështetur nga simpatizantët e partive simotra të etnitetit maqedonas, e as shqiptarët që do i nënshtrohen kërkesës eventuale të partisë së tyre të votojnë për kandidatë joshqiptarë. Por, vetëm nëse këto aleanca dhe bashkëveprime "shumetnike" bëhen publike, e jo si në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2006, kur një kandidat i VMRO-DPMNE-së maqedonase, e eliminoi kandidatin për deputet të BDI-së në Tetovë, me votat e simpatizantëve të PDSH-së. Pra, jo si në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur PDSH-ja bashkëvepronte me VMRO-DPMNE si të ishin në koalicion parazgjedhor, e këtë shqiptarët nuk e dinin.

Nuk ka dyshim se janë të lejueshme të gjitha bashkëpunimet ndërpartiake, por vetëm nëse i nënshtrohen rregullit se votuesit shqiptarët janë ata që vendosin për përfaqësuesit e tyre institucionalë. Dhe se pa marrë parasysh cila parti shqiptare me kë ka bërë koalicion parazgjedhor, mandatin e shqiptarëve e ka ajo që do ketë shumicën e votuesve të kësaj popullate. E kjo shumicë nuk mund të dëshmohet asesi ndryshe, përpos nëpërmjet numrit të deputetëve. Që do të thotë, edhe sikur një parti shqiptare të bënte koalicion parazgjedhor me ndonjë parti simotër maqedonase, nëse nuk do fitonte shumicën e deputetëve shqiptarë, kandidatët e saj do mund të përfshiheshin në institucionet më të larta shtetërore, por jo si përfaqësues të shqiptarëve.

Pa dyshim se demokracia i lejon të gjitha bashkëpunimet mes partive, por demokracia nuk është pafytyrësi sa e mendojnë disa politikanë të këtyre hapësirave. Demokracia mbi të gjitha mbështetet në informimin e drejtë të votuesit, në qartësinë e plotë për kë ai mund të votojë. Pra, demokracia nuk është ajo që e nënkuptojnë disa politikanë të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët përpos që jetojnë me bindjen se janë të domosdoshëm për popullin, kanë filluar të besojnë se populli është pronë e tyre. Andaj është edhe e kotë t‘u rikujtosh atyre se politikanët e mirëfilltë, edhe kur ngjiten drejt majave të ambicieve vetjake, e dinë se poshtë janë rrëzat nga janë nisur dhe nga i shikojnë ata që i kanë votuar. Tjetër është çështja se votuesit shqiptarë rrallëherë shikojnë a ngjiten dhe nga zbresin të zgjedhurit e tyre. Mbase kjo verbëri e një pjese të votuesve shqiptarë ndikon që të zgjedhurit e tyre të jenë të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm për fatin e popullit që përfaqësojnë, i bën të besojnë se politika është profesioni më i lehtë se cilido tjetër. Këtë bindje të politikanëve të këtushëm shqiptarë e dëshmojnë edhe këto ditë parazgjedhore, kur bëhet më i dukshëm numri i atyre që kanë ambicie politike, numri i atyre që duan me çdo kusht të jenë të përfshirë në listat parazgjedhore për deputet republikanë.

E numri i tyre është aq i madh sa do mjaftonte edhe për Kuvendin kinez, e jo më për këtë të Maqedonisë me një grusht popull në të. Numri i tyre është i madh, sepse e dinë se bëhen deputetë të një shteti që i ka të ngatërruara rrugët drejt të ardhmes. Andaj, ngado që të niset, politikani i këtushëm nuk arrin më larg se të përfundojë mandatin si ai që nuk bënë asgjë më shumë, përpos që pret të ndodhë e domosdoshmja. Më në fund, çka mund të bëhet më shumë në një shtet, i cili mbase edhe ka mundësi të pakufishme që të bëhet lulishte e Ballkanit, por e kanë në dorë kopshtarë me shikim të kufizuar? Çka mund të pritet më shumë nga një shtet, për të cilin vendosin njerëz që nuk e kanë kuptuar se politika nuk është profesion që merret vetëm me gjurmimin e të mirës, por edhe me hapjen me kohë të rrugëve që të shpëtojnë nga e keqja?...
 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
image
“Maunokratët” e partitizmit shqiptar
Kim MEHMETI Më shumë se katër dekada me radhë, Enveri shqiptarëve ua vrau Zotin duke dashur që vetveten ta shpallte Perëndi të vetmen të tyre. Në ...
image
“Lufta” e dështuar e kryeministrit
Kim Mehmeti Ai që nuk e sheh se në “Pero Nakov” nuk luftohen aktivitete joligjore, por bëhet luftë kundër medieve më të fuqishëm, asnjëherë nuk do ...
Next