Fillimi | Analiza | Zgjidhje e përkohshme për frustracionin afatgjatë

Zgjidhje e përkohshme për frustracionin afatgjatë

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Të merremi vesh: arsimimi është boshti kurrizor i një populli dhe nëse dikujt i nevojitet arsimim superior masiv dhe sa më i ngutshëm, ata janë shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu, duhet të jetë e qartë se më e vlefshmja që e realizuan shqiptarët e këtushëm gjatë dy dekadave të fundit, është themelimi dhe legalizimi i universiteteve në gjuhën shqipe në Maqedoni. Vlerë e cila tani mbindërtohet me shpërndarjen e fakulteteve të këtyre universiteteve nëpër të gjitha mjediset ku jetojnë shqiptarët.

Shkruan: Kim MEHMETI

Nëse politikanët kryesisht e përcaktojnë rendin e një shoqërie, nëse dijetarët i lartësojnë dhe i afirmojnë vlerat morale dhe ato njerëzore, atëherë është e pritshme që skamnorët dhe hallexhinjtë të jenë ata që më së shumti i besojnë politikës, të bindur se janë mbrojtës të moralit dhe të njerëzores, e duke mos e vërejtur se nuk kanë kushte për ta bërë këtë. Dhe, sa më e varfër është një shoqëri, aq më shumë rritet fanatizmi partiak, dhe sa më i paktë është numri i atyre që mbrojnë vlerat dhe moralin njerëzor, aq më të fortë e më të papërgjegjshëm bëhen politikanët. Kështu që në shoqëritë ku forca partiake është proporcionale me mjerimin e popullit, nuk janë aq të rrezikshëm politikanët e papërgjegjshëm, por ata që u besojnë atyre. Dhe, në shoqëritë e tilla rrënohen institucionet, në ato shoqëri institucionet shërbejnë për t’i mbuluar të metat shoqërore si dhe individët e pamoralshëm e të papërgjegjshëm, e jo për t’i mbrojtur standardet dhe vlerat e një shoqërie. 


Shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë kryesisht e dominojnë gjeneratat e reja, pra vrulli dhe energjia që ka nevojë të realizohet tani dhe sa më shpejt. Pra, atë e  përbëjnë dhe asaj ia japin shenjën njohëse të rinjtë e papunë e të pashpresë, të cilët duke mos pasur rrugëdalje tjetër, në të shpeshtën e rasteve energjinë dhe mençurinë e vet ua ofrojnë partive të këtushme, me shpresë se aktiviteti partiak do t’u mundësojë të jetojnë të lumtur dhe ashtu siç kanë ëndërruar e siç u është premtuar. Duke e ditur se rinia është ajo forcë që lartëson dhe rrënon një rend shoqëror, duke e ditur sa është e madhe përqindja e shqiptarëve të papunë, duke e ditur sa e etur është ajo rini për atë që i ishte e ndaluar deri dje – shkollimi i lartë në gjuhën amtare,  për ta heshtur pakënaqësinë e saj, asaj rinie Maqedonia i ofroi diçka tërheqëse, e që në shikim të parë duket zgjidhje shumë e mirë, por e shikuar në thellësi dhe në periudhë më afatgjate, ajo mund të sjellë telashe të reja: marrjen e diplomave të shkollimit të lartë pa kriter e pa standarde, thuajse vetëm nëse e plotëson një kusht – nëse ke durim të përcjellësh ligjëratat gjatë tre vjetëve dhe jo rrallëherë edhe varësisht nga ajo sa je aktiv në radhët e partisë shqiptare në pushtet. Kështu, kohëve të fundit u ofrohet edhe moshave më madhore nëpërmjet programeve të ngutshme dhe të reduktuara mësimore. Pra, edhe atyre të cilët, duke i njohur aftësitë dhe afinitetet e veta, janë përcaktuar për profesione që nuk kanë nevojë për diplomat e arsimimit të lartë.


Të merremi vesh: arsimimi është boshti kurrizor i një populli dhe nëse dikujt i nevojitet arsimim superior masiv dhe sa më i ngutshëm, ata janë shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu, duhet të jetë e qartë se më e vlefshmja që e realizuan shqiptarët e këtushëm gjatë dy dekadave të fundit, është themelimi dhe legalizimi i universiteteve në gjuhën shqipe në Maqedoni. Vlerë e cila tani mbindërtohet me shpërndarjen e fakulteteve të këtyre universiteteve nëpër të gjitha mjediset ku jetojnë shqiptarët. Por, gjithashtu, duhet të merremi vesh e të themi hapur se kur sfera e arsimimit bëhet pjesë e lojërave politike, se atëherë kur fakultetet bëhen qendra ku grumbullohen të papunët e jo ata që duan të shkollohen, nga kjo dukuri ka vetëm një të mirë: në vend se nëpër çajtore, të papunët e rinj i harxhojnë vitet më të vlefshme të jetës nëpër mësonjëtoret e fakulteteve, me çka frustrimin e sotëm e grumbullojnë në vetvete për ta shfryrë pas ndonjë viti. Aq më shumë, kjo dukuri ka edhe një të keqe të padukshme, por që një ditë mund të zhvlerësojë shumëçka: të zhvlerësojë arsimimi superior, të krijojë situatën që populli të ketë shumë të arsimuar, e pak të ditur.


Pra, partitë pushtetmbajtëse në Maqedoni, duke u frikësuar nga numri i madh i të rinjve të papunë, atyre u ofruan mundësinë alternative si t’i harxhojnë vitet dhe i drejtuan nëpër fakultete që u bënë aq të shpeshta sa edhe vetëshërbimet, e ku ngandonjëherë vlejnë edhe të njëjtat rregulla: diploma që mund ta marrësh varet nga thellësia e xhepit, e jo nga kapaciteti i trurit. Ku ta dish, mbase edhe nuk duhet pritur asgjë më shumë nga një shtet si Maqedonia ku nuk prodhohet thuajse asgjë, shtet që u formua pas shpërbërjes së federatës jugosllave, duke mos e ditur se ç’është shteti. Pra, ndoshta nuk duhet pritur asgjë më shumë nga një Maqedoni që e jeton fazën shtetërore, kur gjithçka i është përkushtuar fshehjes së realitetit të zymtë, që jeton fazën kur çdo gjë është në funksion që politikanët ta kenë sa më mirë përderisa u janë përkushtuar përfitimeve materiale personale.
Por, sa i përket rinisë së papunë shqiptare në Maqedoni, ka diçka që e dëshmon si më të vetëdijshme e më të pjekur se politikanët që e përfaqësojnë këtë popull. Pra, ka diçka që rinia shqiptare mbase e di se në një shoqëri ku asgjë nuk prodhohet, të kota janë të gjitha diplomat, se në një shtet ku të gjithë të shkolluarit mbajnë kokën të kthyer nga administrata shtetërore, kurrë nuk mund të bëhesh profesionist që ke ëndërruar, se shkollimi i paplanifikuar dhe i pambështetur mbi nevojat reale të një shoqërie, se arsimimi stihik, vetëm e hesht frustrimin rinor të sotëm, që ai të shprehet edhe më i fortë në të ardhmen. Duke qenë e tillë, rinia shqiptare me të drejtë mundohet të jetë më aktive, por duke bërë një gabim që shqiptarët e këtushëm e përsërisin vite me radhë: sa herë që dëshpërohen nga një elitë partiake, ata kërkojnë formimin e ndonjë partie të re me në krye me udhëheqës të paharxhuar. E, në të vërtetë, shqiptarëve të Maqedonisë nuk u mungojnë parti, ata nuk kanë nevojë për subjekte të reja politike, por atyre u mungojnë institucione, ku profesionistë të mirëfilltë dhe të pandikuar nga partitë politike, do të hartojnë plane dhe projekte konkrete për të ardhmen e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Pra, rinia e sotme shqiptare, në vend që të kërkojë atë që ka të bëjë me fatin e saj – si për shembull pastrimin e institucioneve arsimore nga njerëzit që prodhojnë të paditur – ata vazhdojnë të vetëgënjehen se çdo gjë u varet nga partia e munguar politike dhe nga liderët e rinj që do të vepronin ndryshe nga këta të sotmit. Me këtë bien në kurthin e atyre që kanë kultivuar vetëdijen se aktiviteti politik është gjithçka, se politika është e vetmja që të mundëson të bësh diçka për vetveten e për të tjerët, se çdo gjë duhet lënë në duart e politikanëve. Dhe, duke menduar kështu, shqiptarët e Maqedonisë ua lan në duar politikanëve arsimimin, kulturën, religjionet...., që më në fund çdo gjë të përfundojë me institucione që shërbejnë edhe për ta mbuluar vetveten edhe disa nga ata që shkelën mbi njerëz për të ardhur në pozitat ku janë, e të cilëve, po ua hoqe mbështetjen partiake, nga ata mbetet vetëm një njeri që beson se pozita dhe diploma e përcaktojnë diturinë, e jo dituria pozitën dhe diplomën, nga ata mbetet një mjeran që beson se moralin dhe njerëzoren e përcakton pozita në të cilën ndodhesh, e jo e kundërta.

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
image
“Maunokratët” e partitizmit shqiptar
Kim MEHMETI Më shumë se katër dekada me radhë, Enveri shqiptarëve ua vrau Zotin duke dashur që vetveten ta shpallte Perëndi të vetmen të tyre. Në ...
image
“Lufta” e dështuar e kryeministrit
Kim Mehmeti Ai që nuk e sheh se në “Pero Nakov” nuk luftohen aktivitete joligjore, por bëhet luftë kundër medieve më të fuqishëm, asnjëherë nuk do ...
Next