Fillimi | Analiza | Marrëveshja për të mos u marr vesh

Marrëveshja për të mos u marr vesh

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Andaj, kur flitet për marrëveshjet shqiptaro-maqedonase, duhet të thuhet një e vërtetë: ato janë asgjësuar dhe kanë humbur kuptimin e tyre jo pse pala maqedonase ishte aq e guximshme sa të mos i përfillë ato, por pse pala shqiptare ishte aq inferiore dhe aq e pa shkathët, sa nuk dinte si ato t’i zbatojë.

Kim MEHMETI

                 

                      Shqiptarët e Maqedonisë arritën deri më tani shumë marrëveshje me palën maqedonase. Aq shumë marrëveshje nënshkruan përfaqësuesit shqiptarë me pushtetarët maqedonas, sa tani është e paqartë për çka ata janë marr vesh mes veti dhe cila nga ato marrëveshje duhet të zbatohet. Pas konfliktit të 2001, shqiptarët me maqedonasit nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit. Pastaj u arrit marrëveshja e majit e vitit 2007 mes Ahmetit dhe Gruevskit, si edhe ajo e marsit në vitin 2008 mes PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së. Me çka u pa se shqiptarët dhe maqedonasit lehtë i nënshkruajnë marrëveshjet, por mbase duke u nisur nga bindje se ato askënd nuk obligojnë dhe askush nuk pret që ato të realizohen. Apo i nënshkruajnë ngaqë janë të detyruar nga faktori ndërkombëtarë, prandaj këto marrëveshje ngjajnë sikur macet të ishin marr vesh me minjtë për paqe vetëm pse këtë e ka kërkuar skifteri që fluturon mbi kokat e tyre. Andaj pra, këto marrëveshjet edhe vlenin vetëm aq kohë sa u duhej garantëve perëndimorë të ngjiteshin nëpër avionët e tyre dhe të largoheshin nga Shkupi. E që pastaj të vazhdojë loja dydekadashe ndëretnike, e cila funksionon sipas formulës: pala maqedonase blen kohë dhe bënte çmos që ato të humbin kuptimin, e pala shqiptare ushqen durimin e paskajshëm se do vijë dita kur do realizohen marrëveshjet e arritura. Formulë e cila nuk ka elemente të panjohura, e as kërkon shkathtësi për ta zgjidhur dhe që u tregua shumë frytdhënëse për palën maqedonase. Edhe atë vetëm pse partitë shqiptare u treguan si ai nxënësi, i cili jo vetëm që nuk dinë, por edhe ndjehet inferior dhe jeton me kompleksin e fëmijës se do e akuzojnë që, në vend se me libra, çantën e ka të mbushur me armë. Andaj, kur flitet për marrëveshjet shqiptaro-maqedonase, duhet të thuhet një e vërtetë: ato janë asgjësuar dhe kanë humbur kuptimin e tyre jo pse pala maqedonase ishte aq e guximshme sa të mos i përfillë ato, por pse pala shqiptare ishte aq inferiore dhe aq e pa shkathët, sa nuk dinte si ato t’i zbatojë. Më saktë thënë, kur bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme që shqiptarët kanë arritur me pushtetarët maqedonas, pra kur vlerësohet realizimi i Marrëveshjes së Ohrit, duhet thënë se ajo u zbehë dhe thuajse u asgjësua ngaqë vetë shqiptarët e lejuan shfytyrimin e saj. Pra kjo marrëveshje u asgjësua ngaqë pala maqedonase ia doli të aktrojë se është humbur në përkthimin e saj, e pala shqiptare nuk e kuptoi se jo që politikanët maqedonas nuk e dinin mirë anglishten, por donin të blinin kohë, duke pritur që partitë shqiptarë të ngatërroheshin në zënkat dhe akuzat e tyre të ndërsjella, të thënë në shqipe të pastër. Pala maqedonase pra e dinte se partitë shqiptare prej moti kishin pranuar rolin e vasalit në koalicionet qeveritare, se ato kënaqen me disa privilegje të vogla për një grusht partiakësh dhe, duke qenë të tilla, ato vetë do e zbehin edhe lavdinë e luftës së 2001 si edhe Marrëveshjen e Ohrit. Gjë që ndodhi dhe arriti deri aty sa dolën kryepartiakë shqiptarë e thanë “se shqiptarët e këtushëm duhet t’u kërkojnë falje maqedonasve etnik për konfliktin e 2001”.               

 

           Kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet thënë gjithashtu hapur se partitë shqiptare kurrë nuk e lexuan drejtë përmbajtjen e saj, por e atë e zbërthyen si një “deklaratë” për punësimin e aktivistëve të tyre partiak. Pra, këtë Marrëveshje ata e zbritën në rrafshin e një dokumenti që u sillte pikë gjatë fushatave parazgjedhore, që u mundësonte të dëgjueshmëve partiak të bëhen ministra, e jo si një platformë demokratike, e cila, tërthorazi, Maqedoninë e bënte shtet me demokraci koncensuale dyetnike shqiptaro-maqedonas. Duke mos e kuptuar drejtë frymën e kësaj Marrëveshje, ata u lejuan pushtetarëve maqedonas ta asgjësojnë atë qysh në vitin 2006, kur VMRO-DPMNE-ja e mori në qeveri PDSH-në që nuk kishte mbështetjen politike shumicë të shqiptarëve të këtushëm. Që më vonë, me ardhjen e BDI-së në pushtet, të shihet se prej kësaj Marrëveshje kishte mbetur vetëm Ohri ku shkonin e drekonin politikanët, se ajo qëmoti ishte e vdekur dhe mbase varrimi i sajë do bëhet te themelet e kishës së Gruevskit që pritet të ndërtohet në qendër të Shkupit. Pra, kur flitet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet thënë se vrasës të saj ishin pushtetarët aktual maqedonas, por krimi u bë me armën që Gruevskit ia dhanë partitë shqiptare.
Pas gjitha marrëveshjeve të deritanishme, këto ditë, PDSH-ja paralajmëroi se ka grumbulluar ekspertët e saj partiak për të përgatitur edhe një propozim-marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase. Pra, këto ditë është duke ndodhur ajo që përsëritet me vite: partive shqiptare u kujtohet interesi i popullit posa janë të detyruara ta braktisin qeverinë. Vetëm atëherë ato e shohin se popullin e kanë shndërruar në një turmë të hutuar, turmë e cila nuk e ka të qartë se kush dhe çka nënshkruan në emër të saj. Këto ditë pra, partia opozitare shqiptare, e cila nga radhët e veta humbë për çdo muaj nga një deputet, ngutet të përpilojë një marrëveshje shpëtimtare për shtetin dhe shqiptarët. Tani për tani, askush nuk e dinë kur ajo marrëveshje do publikohet, andaj edhe nuk është mirë të paragjykohet përmbajtja dhe efekti i saj. Dhe mbetet shpresa se kjo marrëveshje e paralajmëruar nuk e do ketë fatin e “Librit të bardhë” për konfliktin e 2001, e që kryesuesit e PDSH-së kanë filluar ta shkruajnë qysh në vitin 2002, e assesi ta përfundojnë. Por, pa marrë parasysh cili do jetë fati i kësaj marrëveshje, mbetet e vërteta se, të mbetura larg grazhdit pushtetar, partitë shqiptare fillojnë t’i ngjajnë pijanecit që e kanë dëbuar nga kafeneja: nuk shkon në shtëpi, por bënë çmos që të kthehet pranë banakut ku e presin pijet.

 

           Dhe kjo u ndodh sepse ato nuk kanë as vullnet as moral politik që të pranojnë se edhe ato vetë ia harxhuan Maqedonisë kohën e marrëveshjeve dhe tani e prunë në prag të kohës së referendumeve, kur shqiptarët vetë do duhet të tregojnë çka dhe si e duan. Ato pra nuk kanë as vullnet as moral politik të dalin e t’i thonë hapur këtij populli se marrëveshjet shqiptaro–maqedonase nuk realizohen edhe shkaku i mosmarrëveshjeve shqiptaro-shqiptare. Nëse partitë e këtushme shqiptare do e pranonin këtë të vërtetë, ato do ua mundësonin shqiptarëve të Maqedonisë më lehtë ta kuptonin se nuk ka faj Gjorgjia pse donte ta pranonte Sejdiun në ndonjë nga zyrat e doganës në Bllacë – që të mos e shihnin vëllezërit pushtetarë serb me kënd është takuar - por do e dinin se fajtorë për këtë sjellje përbuzëse të Gjorgjisë ndaj Sejdiut janë të gjithë ata shqiptarë të BDI-së që vraponin t’ia sigurojnë censusin e duhur që ai të zgjidhej president. Pra, nëse partitë e këtushme shqiptare do kishin minimum moral sa të pranonin se grindjet e tyre të ndërsjella janë pengesë për mosrealizimin e marrëveshjeve shqiptaro-maqedonase, atëherë shqiptarët e Maqedonisë më lehtë do e kuptonin se sjellja e Gjorgjisë ndaj presidentit të Kosovës shpjegon qëndrimin përbuzës të presidentit të maqedonasve ndaj shqiptarëve të këtushëm. Dhe se sjellja e tij mbështet mbi bindjen se ka politikanë shqiptarë që do mundohen ta zbusin veprimin antishqiptarë të Gjorgjisë me thënien: “Po edhe Sejdiu e tepron, çka i duhet t’i kushtojë rëndësi formës e jo përmbajtjes!”. Duke harruar se forma e përcakton vlerën e përmbajtjes dhe nga forma lexohen porositë e fshehura. Por ku ta dish, për një president si Sejdiu, i cili bie viktimë i grackave të një Gjorgjie, i cili nuk e lexoi porosinë e mosftuarjes në ceremoninë inauguruese dhe pranoi ftesën “ngushëlluese”, ndoshta edhe nuk duhet të të vijë gjithaq keq pse nuk e presin me eskorta të rreshtuara ushtarësh dhe me flamuj të ngritur lartë në shtiza.

 

Kolumnat e publikuara në këtë faqe janë botime ekskluzive të gazetës "Koha Ditore", Prishtinë 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
2.67
Tjera nga Analiza
Previous
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
image
“Maunokratët” e partitizmit shqiptar
Kim MEHMETI Më shumë se katër dekada me radhë, Enveri shqiptarëve ua vrau Zotin duke dashur që vetveten ta shpallte Perëndi të vetmen të tyre. Në ...
image
“Lufta” e dështuar e kryeministrit
Kim Mehmeti Ai që nuk e sheh se në “Pero Nakov” nuk luftohen aktivitete joligjore, por bëhet luftë kundër medieve më të fuqishëm, asnjëherë nuk do ...
Next